Në gjykatën antikorrupsion u mbajt seanca në themel për ish kryebashkiakun e Himarës Jorgo Goro, i akuzuar për veprën penale “Shpërdorim detyre”, kryer në dy raste dhe mosdeklarim të pasurisë.

Gazetarja e Top Channel Anila Hoxha, bën me dije se i pranishëm në sallë ishte Jorgo Goro, i cili u shpreh se i qëndron kërkesës së bërë në seancë paraprake për gjykim të shkurtuar.

Prokurori i çështjes Ols Dado tha se është provuar shpërdorimi i detyrës në dy episode si dhe mosdeklarimi dhe fshehja e pasurisë nga ana e Goros.

Sipas Anila Hoxhës, gjyqtari i themelit Ardit Mustafaj pranoi kërkesën e ish kryebashkiakut për procedurën e gjykimit të shkurtuar.

Bashkë me Jorgo Goron, nisi gjykimi me të njëjtën procedurë edhe për ish zyrtarët e tjerë të bashkisë Vezir Gjikoka dhe Jerasimo Basho, ndërsa ish kreu i kadastrës Vlorë Bilbil Aliaj do të gjykohet me gjykim të zakonshëm.

Për këtë të fundit, gjykata vendosi ndarjen e çështjes. Në seancën e radhës, të datës 10 shkurt, ora 13.00, pritet që prokuroria e posaçmes të deklarojë pretencën për Jorgo Goron dhe të tjerët.