Në seancën e radhës, avokati mbrojtës i Rexhep Selimit, Geoffrey Roberts, paraqiti argumentet përmbyllëse, duke kundërshtuar akuzat e ngritura nga Prokuroria.
Sipas tij, nuk ka prova që vërtetojnë se Selimi ka pasur rol apo ka kontribuar në krimet e përfshira në aktakuzë. Ai theksoi se nuk mund të merret një vendim fajësie në lidhje me ndërmarrjen e përbashkët kriminale, pasi, sipas mbrojtjes, Prokuroria nuk ka sjellë prova të mjaftueshme për të mbështetur akuzat.
Roberts i cilësoi pretendimet e Prokurorisë si të pabazuara dhe kërkoi që klienti i tij të shpallet i pafajshëm për të gjitha akuzat.
Në përfundim, ai kërkoi lirimin e menjëhershëm të Rexhep Selimit dhe kthimin e tij pranë familjes në Kosovë, duke theksuar se çdo vendim tjetër nuk do të justifikohej nga provat e paraqitura gjatë gjykimit.
