Një prej avokatëve, që ishin prezentë në sallën e gjyqit në Gjykatën e Tiranës për protestuesit të cilët u arrestuan në 2 korrik, ka folur për mediat pasi trupa gjykuese është tërhequr në sallën e këshillimit.
Ai zbuloi se të gjithë avokatët në sallë kanë rënë dakord unanimisht se arrestimet ishin të paligjshme, ndaj edhe kanë kërkuar që ato të shpallen si të tilla. Nga ana tjetër, ai tregoi se prokuroria ka kërkuar për dy protestues që të mbahen në arrest me burg, ndërsa për të tjerët është kërkuar masa e sigurisë, detyrim paraqitje. Sipas informacioneve paraprake, bëhet fjalë për personat që shkatërruan automjetin e policisë, i ndodhur pranë parlamentit në protestat e së enjtes.
Jashtë ambienteve të gjykatës janë mbledhur protestues, të cilët, ashtu siç kishin paralajmëruar një ditë më parë, kanë zhvilluar një protestë duke kërkuar lirimin e të arrestuarve.
