Opozita nuk zgjodhi të konfrontohej me pjesëtarët e Gardës në Kuvend, ndryshe nga seancat e fundit parlamentare. Një ditë para mosbindjes civile të shtrirë në të gjithë vendin, PD vendosi në mbledhjen e grupit parlamentar të dërgonte në Kuvend vetëm deputetët e papërjashtuar.

Situatat kaotike dhe përplasjet jashtë dyerve të Parlamentit i lanë vendin normalitetit, ndonëse barrierat e hekurit ishin po aty, si tregues i gatishmërisë së atyre që ruajnë rendin brenda dhe jashtë Kuvendit, për t’i paraprirë përplasjeve të mundshme.

Por opozita ndryshoi skenar dhe nuk preferoi të konfrontohej as me Gardën dhe as me deputetët e PS, siç bëri 2 javë më parë kur deputetët e përjashtuar tentuan të hynin në sallën e Kuvendit. Ndërsa jashtë Parlamentit u shënuan përplasje me Gardën dhe Policinë.

Por brenda sallës së Kuvendit opozita nuk ishte aq në paqe sa jashtë. Deputetët bllokuan foltoren, ndërsa në duar mbanin parkarta në anglisht “Free Berisha”.

Seanca e Kuvendit, e drejtuar nga numri dy, Bledi Çuçi zgjati vetëm 20 minuta.