Detaje të reja kanë dalë në dritë nga vrasja e rëndë që tronditi Shkodrën, ku 62-vjeçari Shtjefën Zici dyshohet se ekzekutoi bashkëshorten e tij, 55-vjeçaren Bardhe Zici.

Sipas hetimeve, kamerat e sigurisë të sekuestruara nga policia kanë fiksuar të gjithë dinamikën e ngjarjes. Në pamje shihet 62-vjeçari duke ecur qetësisht drejt armës së gjahut, të cilën e merr pa shfaqur shenja nervozizmi. Më pas ai afrohet te dera kryesore e oborrit, e hap dhe kontrollon nëse po kalon ndonjë person, përpara se të hyjë në banesë.

Brenda banesës, ai dyshohet se ka qëlluar për vdekje bashkëshorten e tij. Pas krimit, Shtjefën Zici nuk ka tentuar të arratiset, por ka qëndruar në vendngjarje duke pritur mbërritjen e policisë.

Nga hetimet paraprake rezulton se motivi i krimit lidhet me xhelozinë. Sipas informacionit të deritanishëm, para ngjarjes ka rënë telefoni i viktimës, por ende nuk është konfirmuar se kush e ka telefonuar, nëse kanë qenë fëmijët e çiftit, djali që jeton në Kanada, vajza, apo të afërm të tjerë. Dyshohet se kjo ka shkaktuar reagimin fatal të 62-vjeçarit.