Sekretari i Departamentit të Shtetit të SHBA, Marco Rubio, ka pranuar ftesën e kryeministrit Edi Rama për të vizituar Shqipërinë, një zhvillim që konfirmon forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes Tiranës dhe Uashingtonit.
Lajmi është bërë i ditur nga ambasadori i Shqipërisë në SHBA, Ervin Bushati, i cili deklaroi se e kishte përcjellë ftesën në emër të kryeministrit. “E ftova z. Rubio të vizitojë Tiranën – Portën e Ballkanit për SHBA – për dy arsye: Shqipëria është një mrekulli e diplomacisë amerikane, që nga një diktaturë komuniste është shndërruar në një nga vendet më pro-amerikane dhe pro-NATO në Europë,” shkruan Bushati.
Ambasadori shtoi se ftesa u bë gjithashtu në emër të një kombi të vogël me një zemër të madhe, siç tha ai, “si Nënë Tereza”, duke theksuar mesazhin e Shqipërisë për Bashkimin Europian: “Më shumë dashuri dhe më shumë shërbim me përulësi.”
Sipas Bushatit, Rubio e pranoi ftesën me kënaqësi, pavarësisht axhendës së ngjeshur të diplomacisë amerikane, duke e cilësuar Shqipërinë si një vend kontribuues në NATO, veçanërisht pas vizitës së tij të fundit në Hagë.
“4 Korriku nuk është vetëm Dita e Pavarësisë së SHBA, por një deklaratë e lirisë dhe demokracisë për të gjithë botën,” përfundon Bushati në reagimin e tij.
