Shembulli


Kompanitë eksportuese të mesme, modeli i pakopjueshëm i superfuqisë


Philipp Klais i cili drejton një kompani që prodhon organo në Bon, kompani e themeluar nga stërgjyshi i tij më 1882, merr shumë kërkesa nga zyrtarë të huaj që dëshirojnë të vizitojnë fabrikën e tij. Kjo e shqetëson atë. “Ata duan të zbulojnë sekretin e suksesit tonë”, thotë Klais, organot e të cilit përdoren nga orkestra dhe kisha në të gjithë planetin, nga Tajvani në Argjentinë dhe natyrisht, edhe në Gjermani. “Por ne nuk shohim asnjë sekret këtu, thjesht po bëjmë atë që kemi bërë prej 130 vjetësh”.


Kompanitë me përmasa të mesme që në Gjermani njihen si “Mittelstand” shpesh janë nën pronësi familjare dhe prodhojnë një pjesë të konsiderueshme të eksporteve të këtij vendi. Ata kanë krijuar zilinë e udhëheqësve politikë e të biznesit nga e gjithë bota, të cilët dëshirojnë ta kopjojnë këtë model.


“Vendet e tjera nuk do të ishin në krizë kaq të thellë sa janë nëse do të kishin Mottelstande më të fuqishme”, thotë zëvendësministri i Ekonomisë Ernst Burgbacher, duke treguar me krenari sektorin që siguron gjysmën e prodhimit kombëtar të vendit. Por këto lloj kompanish, të cilat i kanë rrënjët në shtetet e vogla mesjetare dhe që mbështeten nga kultura konservatore e qyteteve të vogla, përbëjnë edhe një model që nuk mund të eksportohet në shoqëri thellësisht të ndryshme.


Industrialisti francez Louis Gallois, i cili mbikëqyri hartimin e një studimi mbi mënyrat se si Franca mund të bëhet më konkurruese në Europë, nuk beson se modeli gjerman është i kopjueshëm. Përkundrazi, ai mendon se ndërmarrjet e mesme gjermane nuk janë aq të fuqishme sa duken dhe se modeli ka shumë dobësi. Edhe shumë të tjerë mendojnë se Mittelstand nuk është një model i vlefshëm për shekullin e 21-të. Gjeneratat e reja po tregohen gjithnjë e më shumë refuzues në marrjen e përgjegjësive për kompanitë familjare.


“Anëtarët e Mittelstandeve kanë tendencën të jenë të palëvizshëm gjeografikisht. Ata i trashëgojnë profesionet nga një gjeneratë te një tjetër dhe ndjekin një stil jetese konservator që pëlqen status quo-në”, thotë një ekspert. Shumë ekonomistë besojnë se megjithëse Gjermania ka përmirësuar ndjeshëm produktet e veta, ky vend nuk është i aftë të sjellë novacione radikale. Nuk është në vijën e parë të revolucionit dixhital, novacioneve financiare apo krijimit të mallrave të luksit. Ky vend nuk ka “Google” apo “Apple”.