Korçë, Emiljan Dine mbajti një natë të miturën në lokal dhe banesë


Të dhëna


Vajza – 13-vjeçarja ka rrëfyer para policisë se Emiljan Dine e kishte përdhunuar dhe madje kishte tentuar ta përdorte për orgji me shokët e tij


Largimi – Pas largimit për një natë nga shtëpia, 13-vjeçarja është vënë në presion t’u tregojë prindërve aventurën me të njohurin e saj


Akuzat – Mbi 33-vjeçarin Dine ka rënduar më parë akuza e armëmbajtjes pa leje. Krahas marrëdhënies seksuale, akuzohet për mbajtje të lëndëve narkotike


Gëzim Ashimi


gjykata e korcesGjykata e Korçës ka vendosur masën e sigurisë arrest në burg pa afat, për një 33-vjeçar nga Rrethi i Korçës, i akuzuar se ka kryer marrëdhënie seksuale me një minorene. Emiljan Dine, banor i fshatit Dërsnik, i arrestuar dy ditë më parë në flagrancë për abuzim seksual me një minorene nga fshati Libonik i Korçës, është lënë me masë sigurie me izolim në burg. Mbi 33-vjeçarin Dine, kanë rënduar më parë edhe akuza për armëmbajtje pa leje, ndërsa kohët e fundit, krahas akuzës për marrëdhënie seksuale me një të mitur, ai është kapur edhe me një sasi lënde narkotike. Edhe vëllai i tij, kryeplak i fshatit Dërsnik, i quajtur Laze Dine, është shpallur person në kërkim për plagosjen e një punonjësi policie, njëkohësisht edhe bashkëfshatar i tyre, ngjarje e ndodhur në fillim të shkurtit të këtij viti në afërsi të Komisariatit të Korçës.


 


Seanca gjyqësore


Në seancën gjyqësore për vlerësim mase sigurie, ka dalë Emiljan Dine, i cili ka abuzuar me një vajzë 13-vjeçare me inicialet K.A nga Liboniku, me të cilën ka kryer marrëdhënie seksuale duke e mashtruar. I martuar dhe me fëmijë, 33-vjeçari nga fshati Dërsnik, i njohur për policinë edhe për precedentë të mëparshëm penalë e gjithashtu të vëllait të tij, është vënë menjëherë në arrest pas denoncimit që kreu familja e vajzës minorene. Vajza, sipas pohimeve që u thanë në seancë gjyqësore dhe që u referohen hetimeve, ka qëndruar për një natë të tërë me 33-vjeçarin Dine, i cili dyshohet edhe si përdorues i lëndëve narkotike. Largimi për një natë nga shtëpia e ka vënë 13-vjeçaren nën presionin e prindërve, të cilëve u ka treguar aventurën me të njohurin e saj dhe vendet që frekuentoi. Si në banesën e 33-vjeçarit nga Dërsniku, por edhe në një lokal që ai e ka në bashkëpronësi në fshatin Vinçan të Korçës dhe ku mendohet se ka qenë së bashku me minorenen, policia ka zbuluar lëndë narkotike lë llojit hashash në sasi të vogla. Emiljan Dine, pas plagosjes që vëllai i tij, kryeplaku Laze Dine i shkaktoi një punonjësi policie me armë zjarri, u arrestua në flagrancë, pasi gjatë kontrollit në banesë iu gjetën municione armësh, dhe prova që e fajësonin për ndjekje penale. Ai është lënë i lirë shumë shpejt, por ka rënë sërish në pranga për marrëdhënie seksuale me një të mitur, e tashmë gjykata e ka lënë në arrest në burg pa afat, deri në zhvillimin e procesit të rregullt gjyqësor.


 


Arrestimi


Policia e Korçës bëri të ditur se 33-vjeçari, banor i fshatit Dërsnik është denoncuar nga një vajzë e mitur nga fshati Libonik i Korçës. Ajo ka rrëfyer para policisë se Emiljan Dine e kishte përdhunuar dhe madje kishte tentuar që 13-vjeçaren ta përdorte për orgji me shokët e tij. Në këto kushte, krimet e rënda të Policisë së Korçës janë vënë në lëvizje për arrestimin e 33-vjeçarit. Ai u arrestua në një tjetër fshat të Korçës, në Vinçan, ku ai është bashkëpronar në një lokal. Nga të dhënat zyrtare të policisë rajonale të Korçës bëhet e ditur se në fshatin Vinçan, bashkë me Dinen, është arrestuar edhe Shkëlzen Alibashi, 28 vjeç, bashkëpronari i lokalit, ku u krye operacioni. Arrestimi i të dytit është kryer, pasi në lokal është gjetur një sasi lënde narkotike. Arrestimi i dy personave ka qenë pjesë e një operacioni të përbashkët, duke u konkretizuar me goditjen në lokalin e fshatit Vinçan, ku dyshohet se është kryer edhe abuzimi seksual me vajzën e mitur. Policia tha se ka dyshime të forta që kryerja e marrëdhënieve seksuale me 13-vjeçaren nga fshati Libonik është bërë nën efektin e drogës, madje është tentuar që t’i jepet drogë edhe së miturës.