Nga krijimi i tij në 2019, SPAK ka sekuestruar 64 pasuri të paluajtshme, 26 pasuri të luajtshme, 11 subjekte tregtare nga të cilat 7 subjekte të sekuestruar plotësisht dhe kuotat përkatëse të personave nën hetim për 4 subjekte të tjerë.

Në momentin që sekuestrohen, Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, i publikon dhe shumica e tyre jepet me qira. 3982 pasuri dhe prova materiale, të cilat përfshijnë kryesisht apartamente, njësi shërbimi, toka dhe automjete janë sot nën mbikëqyrje nga ky institucion. Gazetarja Anila Hoxha ka treguar në “Top Story” detaje nga sekuestrimi i një apartamenti të ish-prokurorit Adriatik Llalla, ku u shpreh se pas konfiskimit, kjo pasuri i kaloi shtetit dhe sot përdoret si qendër sociale dhe kulturore.

“Më publikja është rastri i konfiskimit të një apartamentit të konstatuar gjatë hetimit të ish-prokurorit Adriatik Llalla, pasuri e cila u konsiderua e pajustifikuar, e ardhur nga veprimtari e paligjshme. Për këtë arsye ajo nga sekuestrimi më pas, kaloi në favor të shtetit si e konfiskuar. Sot, apo prej disa vitesh, kjo pasuri, ky apartament, që është pronë e shtetit shqiptar përdoret për aktivitete dhe si qendër sociale dhe kulturore. Jemi duke folur pas dënimit të z. Llalla, i cili kur u dënua, u largua nga Shqipëria dhe menjëherë paralelisht u vendos sekuestrim dhe konfiskim. Në momentin që iu vendos konfiskimi, kjo pasuri nuk u shit, por i kaloi, më shumë edhe për të dhënë një mesazh domethënës, kaloi për përdorim social. Një apartament përmbi 100 mijë euro në Durrës”, tha ndër të tjera gazetarja.