Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, SPAK ka kërkuar sot në gjykatën e Posaçme, GJKKO, që pasuritë e sekuestruara në emër të Redjan Rrajës, të konfiskohen dhe t’i kalojnë shtetit.

Në njoftimin për media, SPAK thotë se një prej pasurive që kërkohet të konfiskohet është edhe “automjeti me ngjyrë gri të tipit Audi, A8, sekuestruar shtetases K. K. por që është në zotërim të tërthortë të shtetasit Redjan Rraja”.

Makina i është sekuestruar vjet modeles Kejvina Kthella, me të cilën, Redjan Rraja ka pasur një lidhje intime dhe sipas “Panorama.al” përgjimet e vjehrrës së Rrajës kanë zbuluar raportin mes tyre.

Në përgjime, vjehrra e Rrajës shprehet se “kanë dalë llafe se shkonte me një tjetër mi… jetonte me një tjetër…”

Nga ana tjetër në dëshminë e saj për policinë, Kejvina Kthella ka pranuar lidhjen jashtëmartesore me Redjan Rrajën.

“Kemi qëndruar gjatë natës së bashku dhe në mëngjes, më datë 01.11.2019, rreth orës 10:30 unë jam larguar për në punë, ndërsa Redjani qëndroi në banesë. Kam komunikuar gjatë ditës me të disa herë dhe ai është larguar nga banesa dhe kishte shkuar në Durrës me disa miq të tij”, mësohet të ketë shprehur modelja Kthjellla.

Në dosjen e SPAK-ut, mes shumë dëshmish në lidhje me atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja, është edhe ajo e modeles Kejvina Kthella, e cila është pyetur, duke qenë se një natë para ngjarjes kishte fjetur me Redjan Rrajën në shtëpinë e saj.

Ajo tregon se më datë 1 nëntor 2019 (ditën kur ndodhi atentati), ka komunikuar në telefon me Redjanin dhe i ka thënë se ishte në Durrës me disa miq. Ndërsa alibia që Rraja kishte tentuar të ngrinte, është rrëzuar nga bashkëshortja e tij, e cila gjatë deklarimeve ka thënë se Redjani ndodhej në Belgjikë. E po kështu, edhe një përgjim i vjehrrës së tij me një mikeshë, është cilësuar me shumë interes për hetimin.

PERGJIMI I VJEHRRES SE RRAJES

Shumë interes paraqet biseda e datës 11.11.2019, ora 09:38:12, bisedë që zhvillohet mes shtetases Leonora Shehu (e ëma e shtetases Odesa Rraja që është bashkëshortja e Redjan Rrajës), përdoruese e telefonit me numër 06938XXXXX (lejuar përgjimi me vendimin nr.952, datë 04.11.2019 të Gjykatës) dhe një shtetase të thirrur Vera. Në këtë komunikim paraqesin interes këto biseda:

Leonora: Jo me jo… por kanë dalë llafe se shkonte me një tjetër mi… jetonte me një tjetër…

Vera: Uh!

Leonora: Ne e dinim se ishte jashtë moj motër, se dinim fare se ishte këtu. Kishte thënë se do vejë jashtë, do bëjmë dokumentet, se do vemi të jetojmë në Belgjikë.

Vera: Dëgjo këtu, motër. Po është ashtu, më mirë një orë e më përpara, të rrijë rehat vajza…

Leonora: Dëgjo, atij ia kanë futur, se nuk është i tillë ai që të arrijë gjer atje. Ai… çfarë nuk bën vaki moj motër. Duhet t’ia ketë futur ndonjëri, po se duhet të ikte andej për jashtë shtetit. Ai donte të ikte pasi familja e dinte se ai nuk ishte fare këtu ai… Edhe gruaja dhe fëmijët e dinin që ishte jashtë shteti…

Nga kjo bisedë del qartë se shtetasi Redjan Rraja, në përpjekje të ndërtimit të një alibie, ka përgatitur si familjarët, ashtu edhe shtetasen Kejvina Kthella se do të ikte jashtë shtetit.