Përsëritet “incidenti” në Ministrinë e Jashtme Greke, kur flamuri kombëtar ishte përmbys 


Policia ka sekuestruar në Gjirokastër disa çakmakë, ku në sipërfaqe ishte stampuar shqiponja e flamurit kombëtar me kokë poshtë, duke sjellë përsëritjen e “incidentit” në Ministrinë e Jashtme Greke. Gjatë kontrollit në një supermarket janë gjetur pesë kuti të mbushura me çakmakë, rreth 300 copë. “Rreth orës 13:00 të së hënës, Policia e Gjirokastrës ka marrë një informacion se tregtoheshin çakmakë, ku ishte e stampuar shqiponja kokëposhtë. Të gjitha pakot janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale dhe është shoqëruar në ambientet e policisë pronari i supermarketit për shpjegime. Gjatë deklarimeve të dhëna, ai ka treguar detaje për këtë ngjarje, duke shpjeguar se këto çakmakë i ka marrë në Tiranë në një pikë shumice”, pohojnë burimet nga Policia e Shtetit. Pas këtij informacioni, është njoftuar Policia e Tiranës, ku menjëherë kanë nisur kontrollet dhe po vijojnë veprimet për të bërë sekuestrimin e gjithë çakmakëve, si dhe për të vërtetuar nëse është e qëllimshme stampimi me kokë poshtë i shqiponjës së flamurit në çakmakë. Pronari i supermarketit në Gjirokastër, pasi ka dhënë deklarimet është dhënë i lirë. Ndërkohë, furnizuesi i supermarketit me këta çakmakë, Fitim Veseli nga Tirana, është proceduar penalisht dhe ndiqet në gjendje të lirë për veprën penale “Poshtërimi i Republikës dhe simboleve të saj”.