Policia ka goditur një tjetër rast të tregtimit të kundërligjshëm të lëndëve piroteknike, duke sekuestruar 691 copë fishekzjarre në qytetin e Vlorës.
Në kuadër të planit të masave për parandalimin dhe goditjen e shitjes së paligjshme të lëndëve piroteknike, veçanërisht në prag të festave të fundvitit, Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare ka ushtruar kontrolle në subjekte tregtare të qytetit.
Gjatë kontrollit në një subjekt tregtar në lagjen “Hajro Çakërri”, shërbimet e policisë konstatuan një sasi prej 691 lëndësh piroteknike, të cilat tregtoheshin në kundërshtim me ligjin.
Fishekzjarrët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, ndërsa materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë. Në lidhje me këtë rast, nisi procedimi penal ndaj shtetases L. V., 64 vjeçe, banuese në Vlorë.
Hetimet vijojnë për veprime të mëtejshme ligjore.
