Prokuroria në Fier ka sekuestruar pasuritë e shtetasit E.Sh., i cili është nën hetim për veprat penale “Mashtrimi”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.

Sipas hetimeve, dyshohet se ky person është përfshirë në veprimtari të paligjshme përmes një aktiviteti “Call Center” që ushtronte në Fier.

Njoftimi i plote:

Paratë e ‘Call Center’ i tjetërsoi për të mbuluar origjinën e paligjshme, Prokuroria Fier sekuestron pasuritë e shtetasit E.Sh., nën hetim për 3 vepra penale.

Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, u sekuestruan pasuritë e shtetasit E.Sh., nën hetim për veprat penale ‘Mashtrimi’, ‘Fshehja e të ardhurave’ dhe ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtari kriminale’ parashikuar nga nenet 143, 180 dhe 287 të Kodit Penal. Nga hetimet mbi procedimin penal nr.1381, datë 16.12.2021, i regjistruar ndaj personit nën hetim E.Sh., dyshohet se nëpërmjet një aktiviteti “Call Center” që ushtronte në qytetin e Fierit, është përfshirë në veprimtari të kundërligjshme.

Në vijim të hetimeve, u dokumentua fakti i depozitimit të vlerave të konsiderueshme monetare Cash, në llogaritë bankare të cilat nuk justifikojnë burimin e ligjshëm të origjinës. Më pas, këto vlera u investuan në pasuri të luajtshme të paluajtshme, të cilat janë ende në verifikim. Nëpërmjet veprimeve juridike u synua transferimi i pasurive, me qëllim mbulimin e origjinës së paligjshme, fakt që përmban elementë të veprës penale të dyshuar “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”.

Në funksion të këtij procedimi penal ndaj personit nën hetim, u caktuan masat e sigurimit personal me karakter shtërngues. Njëkohësisht, mbi bazën e kërkesës së prokurorisë në mbështetje të nenit 274 të Kodit të Proceduës Penale, me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Fier, u vendos masa e sigurimit pasuror “Sekuestro preventive” mbi:

1 – Pasurinë e llojit Njësi, me sipërfaqe 230 m2;, si dhe

2 – Pasurinë e llojit apartament me sipërfaqe 100 m2, në Fier.