Dy baza prostitucioni janë zbuluar ditën e sotme në qytetin e Durrësit, ndërsa u arrestuan edhe 4 shtetase kineze të dyshuara.

Policia bëri me dije se operacioni i koduar “Storm 17”, i zhvilluar nga Specialistët për Hetimin e Trafiqeve në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, është ndjekur për rreth 4 javë me metoda speciale hetimi.

Si rezultat, janë arrestuar në flagrancë katër shtetase kineze, të cilat kishin marrë me qira dy ambiente në zonën e plazhit, duke i përshtatur për ushtrim prostitucioni.

Gjithashtu janë proceduar penalisht në gjendje të lirë katër shtetas të tjerë nga Durrësi, Kavaja, Shijaku dhe Kosova, për veprën penale “Prostitucioni”.

“Gjatë operacionit janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale katër pasaporta dhe një shumë parash. Sipas hetimeve, aktiviteti i paligjshëm ushtrohej në dy ambiente të marra me qira në zonat turistike, të cilat ishin përshtatur posaçërisht për këtë qëllim. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Durrës, për veprime të mëtejshme”, njoftoi policia.