Një sasi kokaine, gurë të çmuar të dyshuar si diamante, si dhe një aparaturë për detektimin e metaleve të çmuara janë sekuestruar ditën e sotme në Portin e Durrësit.
Sipas njoftimit zyrtar të Doganës së Durrësit, gjatë kontrollit të një automjeti të ardhur me tragetin e linjës Ankona–Durrës, autoritetet konstatuan një valixhe brenda së cilës ndodhej një aparaturë elektronike për detektimin e metaleve të çmuara, së bashku me disa aksesorë të montueshëm. Ndërkohë, gjatë kontrollit fizik të një shtetasi që udhëtonte me një tjetër automjet nga Italia, u zbuluan katër paketime transparente që përmbanin gurë të ngjashëm me diamantet. Po ashtu, në një automjet tjetër u gjet një sasi e dyshuar lënde narkotike, e llojit kokainë, e fshehur në një veshje të vendosur në kabinën e drejtuesit të mjetit.
Njoftimi i Doganës së Durrësit:
Dogana Durrës, në bashkëpunim me strukturat e Policisë së Shtetit, bllokuan ditën e sotme gjatë disa kontrolleve të kryera në Portin e Durrësit një sasi lënde narkotike të dyshuar si kokainë, katër gurë të çmuar të dyshuar si diamante, si dhe një aparaturë elektronike për detektimin e metaleve të çmuara. Gjatë kontrollit të një automjeti të mbërritur me tragetin e linjës Ankona–Durrës, u konstatua një valixhe që përmbante aparaturën detektuese dhe disa aksesorë të montueshëm.
Gjatë kontrollit fizik të një shtetasi që udhëtonte me një tjetër automjet të ardhur nga Italia, u gjetën katër paketime transparente që përmbanin gurë të ngjashëm me diamantet. Në një automjet tjetër u zbulua një sasi e dyshuar lënde narkotike, kokainë, e fshehur në një veshje të vendosur në kabinën e drejtuesit të mjetit. Rastet iu referuan strukturave kompetente për veprime të mëtejshme procedurale dhe hetimore.
