Në një rrëfim personal kryeministri Edi Rama ndau një prej periudhave më të vështira të jetës së tij politike dhe familjare. Ai tregoi se përballja për të marrë drejtimin e Partisë Socialiste përkoi me një moment të rëndë emocional, pasi djali i tij, Gregori, ishte i sëmurë.

Rama theksoi se përjetimi i dy sfidave njëkohësisht – beteja politike dhe shqetësimi për shëndetin e të birit – e vendosi në një gjendje të fortë tensioni. Nga njëra anë, i duhej të shfaqej publikisht i sigurt, energjik dhe i vendosur për të udhëhequr PS-në, ndërsa nga ana tjetër, në heshtje, përjetonte ankthin e një prindi që ndjek nga larg gjendjen e fëmijës së tij.

Sipas tij, përballimi i asaj periudhe nuk do të kishte qenë i mundur pa mbështetjen e njerëzve të afërt. Rama veçoi rolin e familjes, duke përmendur vendosmërinë e vetë djalit të tij, ndonëse në moshë të vogël, si edhe praninë dhe forcën e nënës së tij dhe të Lindës, të cilët e ndihmuan të kalonte një sfidë të ndërlikuar në çdo drejtim.

Duke folur për jetën personale, kryeministri u ndal te një moment që e konsideron themelor si në planin publik, ashtu edhe në atë privat: pranimi i Lindës për t’u bërë bashkëshortja e tij. Rama e cilësoi këtë si ngjarjen më të rëndësishme të jetës së tij, duke theksuar se ajo i ka dhënë qetësinë dhe ekuilibrin që më parë i mungonin.

Ai shtoi gjate intervistes se tij ne Opinion se marrëdhënia me Lindën e ka ndihmuar të shohë veten dhe vendimet e tij nga një perspektivë tjetër, duke e vendosur shpesh përballë nevojës për të reflektuar dhe argumentuar ndryshe nga sa ishte mësuar më parë.

Ndër momentet më mbresëlënëse, Rama përmendi edhe martesën, të cilën e përshkroi si një përvojë të veçantë dhe të papritur për vetë filozofinë e jetës që kishte ndërtuar ndër vite. Ai rrëfeu se, ndonëse ishte martuar edhe më herët, ishte hera e parë që përjetonte një dasmë tradicionale, mes miqsh, familjarësh dhe njerëzish të afërt, duke e gjetur veten në një rol që më parë e kishte refuzuar si ide.

Sipas tij, kjo përvojë rrëzoi bindje të vjetra që kishte ndërtuar rreth martesës dhe jetës familjare, duke shënuar një kthesë të fortë si në mendësinë e tij, ashtu edhe në jetën personale.