Jeanne Shaheen dhe Dick Durbin zhvilluan një sërë takimesh në Shqipëri, ku në fokus ishin siguria, integrimi euroatlantik dhe sundimi i ligjit. Gjatë vizitës, ata u pritën nga Presidenti Bajram Begaj, drejtuesit e SPAK dhe BKH, si dhe përfaqësues të opozitës.
Dy senatorët amerikanë, Jeanne Shaheen dhe Dick Durbin, kanë zhvilluar një vizitë në disa vende të Ballkanit Perëndimor, ku pjesë e turit të tyre kanë qenë edhe Shqipëria dhe Kosova.
Gjatë qëndrimit në Tiranë, senatorët zhvilluan takime me Presidentin e Republikës, Bajram Begaj, drejtues të institucioneve të drejtësisë dhe përfaqësues të forcave politike opozitare. Në takimet e tyre ata u shoqëruan nga ambasadori amerikan në Shqipëri, Eric Wendt.
Një prej ndalesave kryesore të vizitës ishte takimi me drejtuesit e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Klodjan Braho, dhe të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), Joni Keta. Takimi u zhvillua të shtunën, në kuadër të angazhimit amerikan për forcimin e sundimit të ligjit dhe institucioneve të drejtësisë.
Për ambasadorin Eric Wendt, kjo ishte vizita e dytë në SPAK brenda pak ditësh. Ai kishte zhvilluar më herët takime me drejtuesit e Prokurorisë së Posaçme, menjëherë pas marrjes së detyrës në Tiranë.
Gjatë pritjes nga kreu i shtetit, dy senatorët u nderuan me dekoratën e lartë “Komandant i Urdhrit Suprem të Shqiponjës”, në vlerësim të kontributit të tyre.
Në axhendën e delegacionit amerikan përfshiheshin edhe takime me përfaqësues të opozitës. Senatorët dhe ambasadori Wendt u takuan me deputetët e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, Oerd Bylykbashi dhe Ivi Kaso. Sipas informacioneve, gjatë bisedës përfaqësuesit e opozitës paraqitën shqetësimet e tyre lidhur me qeverisjen në vend.
Po ashtu, delegacioni amerikan zhvilloi takime me kreun e partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, dhe deputeten e pavarur Marjana Koçeku, e cila u largua nga Partia Socialiste.
Ajo që ra në sy gjatë vizitës ishte mungesa e një takimi me kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili nuk u përfshi në axhendën e takimeve të zhvilluara në kryeqytet.
Pas përfundimit të vizitës në Shqipëri, senatorët amerikanë janë nisur drejt Kosovës, ku pritet të zhvillojnë takime me përfaqësues të institucioneve dhe politikës vendase.
