Marija Ristic BIRN Beograd
“Qeveria e mëparshme ka bërë disa lëshime absurde”, tha Oliver Antic, këshilltar i presidentit, i cili udhëheq organin e tanishëm administrativ në Beograd, që merret me çështjet e pronave që pasojnë nga ndarja e ish-Jugosllavisë.
Ai përmendi pronat në Turqi, që tha se ishin dhënë nga Mustafa Kemal Ataturk, mbretit Aleksandër, kryetari i mbretërisë se serbëve, kroatëve dhe sllovenëve, që tani është pronë e Bosnjës.
Si shembull tjetër që ai pretendon të jetë “ndarje jo e drejtë” e pronës, Antic listoi ndërtesën e ambasadës në kryeqytetin bullgar të Sofjes, që tha se është blerë nga Mbretëria e Serbisë dhe tani i përket Maqedonisë. “Por, e gjithë kjo tani do të ndryshojë”, shtoi ai.
Marrëveshja për çështjet e pronësisë mes shteteve që pasuan ish-Jugosllavinë u nënshkrua në Vjenë në vitin 2001. Negociatat mes shteteve zgjatën për pothuajse një dekadë, ndërsa ish-lideri i Serbisë, Slobodan Milosevic, bllokoi nënshkrimin, duke thënë se Serbia duhet të jetë pasardhësja e vetme e Jugosllavisë.
Vlera e pronave në fjalë është ende e panjohur, por vlerësohet të jetë deri në 2 miliardë euro. Deri më tani, Serbia ka marrë 24 ndërtesa, kryesisht ambasada, dhe ndërtesa rezidenciale me vlerë prej 63 milionë eurosh. Kroacia ka marrë 10 ndërtesa me vlerë 17.3 milionë euro, ndërsa Bosnja tetë, Maqedonia katër dhe Sllovenia tri.
Sidoqoftë të drejtat e pronësisë për shumë qytetarë të ish-Jugosllavisë mbeten të pazgjidhura. Ekspertët humanitarë kanë lavdëruar autoritetet në Bosnjë që kanë arritur të kthejnë 99% të pronave pronarëve të tyre ligjorë që nga lufta, por kanë kritikuar Kroacinë se nuk ka bërë lëvizje të mjaftueshme për kthimin e pronave.
