Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me nderimet ushtarake që po bëhen nga Serbia për ish-gjeneralin Ratko Mlladiç të njohur edhe si “Kasapi i Bosnjes”, pas vdekjes së tij.
Për Ramën, kjo është një kambanë alarmi për BE, për ta afruar sa më shpejt Serbinë, dhe jo për ta larguar dhe lënë në prehrin e influencave të huaja si Rusia e Kina.
“E di që Serbia është një lloj kafshë shumë interesante dhe e çuditshme në xhunglën e Ballkanit, por çfarë është më mirë, ta kesh ulur në tryezë dhe ti thuash jo, nuk mund të bësh një funeral shtetëror për një kasap, apo ta lësh aty në ujëra të pasigurta dhe të krijosh një situatë krejt skizofrenike mes Europës, Amerikës, Rusisë e Kinës dhe nuk e di se kujt tjetër… Vietnamit. Kjo është qasja ime. Duhet të ndodhë tani. Ç’është ky, humor, humor. Humori i kujt?”, tha ai.
Nderimet për ish-gjeneralin serb, Ratko Mlladiç nga Beogradi, i dënuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës për krime lufte në Bosnje-Hercegovinë, sidomos për masakrën e Srebrenicë, ka shkaktuar një përplasje të fortë mes BE dhe Serbisë. Ndërkohë që Serbisë i janë bllokuar negociatat dhe fondet nga BE, ceremonia për Ratko Mlladiç, u prit jo mirë nga Brukseli, me komisioneren për zgjerimin Marta Kos e cila anuloi vizitën zyrtare në Beograd për shkak të këtij vendimi të Serbisë. Por vetë Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç u sigurua për ceremoninë e nderimit të Ratko Mlladiç, duke e konsideruar vendimin dhe shpjegimin e Komisioneres së Zgjerimit të BE, një budallallëk.
