Vizita
Ministri i Jashtëm i Gjermanisë shton presionin mbi Beogradin për Kosovën
“Vizita e ministrit të Jashtëm gjerman Guido Westerwelle në Beograd, është inkurajim për Serbinë që të vazhdojë rrugën e integrimit europian”, tha pas takimit me ministrin gjerman, Kryeministri serb Ivica Daçiç.
“Unë këtë vizitë e kuptoj dhe e vlerësoj si inkurajim dhe si një lloj mbështetjeje për atë që qeveria serbe ka bërë në muajt e fundit, duke marrë disa vendime që nuk ishin të lehta, por që ishin me interes të lartë shtetëror dhe kombëtar për tërë shtetin dhe mbarë popullin serb”, tha Daçiç pas takimit me shefin e diplomacisë gjermane, Guido Westerwelle në Beograd.
Kryeministri Daçiç theksoi se për Serbinë është me rëndësi jetike marrja e datës për fillimin e negociatave për pranim me BE-në, pasi Serbia është në disavantazh historik dhe shtyrja e vendimit mund të ketë pasoja katastrofike për Serbinë. Në këtë kontekst, Daçiç tha se për marrjen e këtij vendimi është shumë i rëndësishëm zbatimi i marrëveshjes së arritur me Prishtinën:
“Prandaj, unë pres që për këtë të jetë e vetëdijshme edhe Prishtina. Pres që edhe BE-ja, përkatësisht Catherine Ashton, të angazhohet maksimalisht që plani i zbatimit të pranohet nga të dyja palët, pa imponimin e ndonjë çështjeje të re që nuk ka qenë pjesë e marrëveshjes”, tha Kryeministri serb, Ivica Daçiç.
Ai shtoi se edhe Serbia dhe Gjermania kanë marrëdhënie paradoksale. Nga njëra anë, Gjermania është partneri ynë më i madh i jashtëm tregtar dhe donatori më i madh, ndërsa, nga ana tjetër, në vitet e fundit në marrëdhëniet politike ne kemi pasur pengesa të ndryshme në lidhjet tona, tha Daçiç. Por ne nga Gjermania sigurisht që presim datën për fillimin e negociatave, nënvizoi Kryeministri serb.
Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle, theksoi gjithashtu se vizita e tij është një gjest inkurajimi i Serbisë. Serbia mund të sjellë shumë të mira për Europën, ashtu si Europa mund të jetë e mirë për Serbinë, tha Westerwelle:
“Marrëveshja e 19 prillit me plotë të drejtë mund të quhet një marrëveshje historike dhe tani fjala është për miratimin e planit për zbatimin e saj dhe të jenë të dukshme hapat e parë konkretë të zbatimit të këtij plani dhe marrëveshjes.”
I pyetur se çfarë i është ofruar në thelb qeverisë serbe, në mënyrë që të lehtësohet miratimi i një vendimi të tillë, ministri Westerwelle tha se perspektiva europiane është e rëndësishme për gjeneratën e re në Serbi, sepse kjo nënkupton investime të reja dhe krijimin e vendeve të punës. Westerwelle shtoi se rastet historike nuk ofrohen çdo ditë dhe për këtë arsye ato duhet të shfrytëzohen: “Sigurisht që ne nuk mund të paragjykojmë vendimin e krerëve të shteteve dhe qeverive të vendeve europiane, apo vendimin e Bundestagut. Por nëse këtu merren vendime të drejta dhe nëse rezultatet e zbatimit të planit do të jenë të prekshme dhe të dukshme, atëherë ato do të jenë sinjale pozitive për Parlamentin tonë.”