Përkeqësohet situata në Abaze të Krujës dhe vëmendja është përqendruar sërish në këtë zonë prej mëngjesit të sotëm.
Riaktivizimi herë pas here i vatrave ka bërë që ekipet e Emergjencave Civile dhe shërbimet zjarrfikëse të qëndrojnë në gatishmëri të plotë, ndërsa aktualisht, që nga mëngjesi, ndërhyrja për shuarjen e flakëve po bëhet edhe nga ajri me dy helikopterë. Në terren gjatë të gjithë këtyre ditëve janë angazhuar edhe banorët. Ndërkohë, dy vatrat e mëdha në Halil dhe Krastë, raportohen të shuara që orej mëngjesit të djeshëm, pas ndërhyrjes së koordinuar nga ajri dhe toka. Gjatë ditës, efektivë të Forcave të Armatosura, Zonave të Mbrojtura dhe Emergjencave Civile vijuan punën në terren, ndërsa zonat mbetën nën monitorim të vazhdueshëm.
Në zona të tjera të territorit të Bashkisë Krujë janë evidentuar gjithashtu edhe disa vatra të vogla, por ato kanë qenë më të aksesueshme për ekipet zjarrfikëse dhe janë shuar. Ndërhyrja vijon në terren për të frenuar përhapjen e flakëve, ndërsa situata mbetet nën monitorim të pandërprerë.
