
TIRANË – Mbledhja e sotme e grupit parlamentar të PD ka kaluar me debate mes deputetëve mbështetës të Sali Berishës dhe kryedemokratit, Lulzim Basha.
Flamur Noka në një prononcim për mediat tha se ai së bashku me Tomor Alizotin dhe deputetë të tjerë i kërkuan Bashës zgjidhje për krizën që po kalon PD, ndërsa shtoi se askush nuk e ndal dot mbledhjen e Kuvendit të PD, që kërkohet nga Berisha.
“Ju kërkua nga unë dhe zoti Alizoti që të kuptohet që kjo parti është në krizë të thellë, ka nevojë për zgjidhje dhe askush në këtë parti nuk mund të fshihet dhe të bëjë sikur nuk po ndodh gjë. Kërkohet zgjidhje për këtë parti dhe zgjidhja është përtej karriges së kryetarit dhe çdokujt. Kjo është ajo që ju kërkua nga Tomor Alizoti, unë dhe deputetë të tjerë. Berisha e ka bërë me dije se shumë shpejt do të mblidhemi për të vendosur për datën. E rëndësishme është që Kuvendi do të mblidhet, siç ju bë me dije sot dhe zotit Basha, për të kthyer ligjshmërinë, për të diskutuar statutin, për ti dhënë zgjidhje, frymëmarrje dhe forcë PD. Kuvendi është i PD dhe do të mblidhet dhe askush nuk ka forcë ta ndalojë mbledhjen e Kuvendit përveç sovranit që janë delegatët, të cilët kanë firmosur“, tha Noka.
Por mesazhi i Lulzim Bashës ishte i qartë. Lideri i PD deklaroi se “demokratët mish për top nuk i përdor dot askush”.
“Mbi interesat e gjithkujt është ai i Shqiptarëve, PD do i shërbej këtyre interesave, demokratët mish për top nuk i përdor dot askush”, tha Basha.