Një email kërcënues për vendosjen e mjeteve shpërthyese ka mbërritur në disa prej institucioneve më të rëndësishme shtetërore në vend, duke vënë në lëvizje autoritetet policore.

Mes institucioneve që kanë marrë mesazhin elektronik janë Kryeministria, disa ministri, institucione të sistemit të drejtësisë dhe Banka e Shqipërisë.

Situata vjen në një periudhë tensionesh, teksa vendi është përfshirë nga protestat.

Në email pretendohet se brenda ndërtesave të institucioneve janë vendosur mjete shpërthyese, ndërsa autorët e mesazhit paralajmërojnë për sulme terroriste në territorin shqiptar.

Mesazhi përmban gjithashtu kërcënime ndaj institucioneve shtetërore dhe pretendime me përmbajtje ekstremiste fetare, duke përmendur vendosjen e ligjit të Sheriatit.

Pas marrjes së njoftimit, forcat e policisë kanë nisur verifikimet për të përcaktuar nëse kërcënimi është real apo bëhet fjalë për një alarm të rremë.

Deri më tani, nuk ka një konfirmim zyrtar për praninë e lëndëve shpërthyese në institucionet e përmendura. Autoritetet pritet të sqarojnë rrethanat e ngjarjes dhe të ndërmarrin masat e nevojshme për garantimin e sigurisë.