Dy aksidente rrugore janë regjistruar mesditën e sotme në zonën e Pogradecit, konkretisht në Qafë Plloçë dhe në aksin Pogradec–Qafë Thanë, duke shkaktuar një viktimë dhe një të plagosur.

Në aksidentin e parë, në rrugën e re të Qafë Plloçës, një automjet ka humbur kontrollin dhe është përplasur me barrierat anësore të rrugës. Si pasojë është lënduar drejtuesi i mjetit, i cili është transportuar në Spitalin e Pogradecit dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Dyshohet se shkak i aksidentit mund të ketë qenë përgjumja e shoferit.

Ndërkohë, aksidenti i dytë është shënuar në aksin Pogradec–Qafë Thanë, ku një tjetër automjet ka dalë nga rruga dhe është përplasur me bordurat anësore, duke shkaktuar vdekjen e drejtuesit të mjetit.

Policia e Shtetit ka mbërritur në të dyja vendngjarjet dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidenteve.