Qytetarët të shumtë në Tiranë kanë nisur edhe sot grumbullimin për protestën, në ditën e 12 radhazi. Ashtu si në ditët e mëparshme, ata pritet të marshojnë nga sheshi “Skënderbej”, drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, për tu stacionuar para kryeministrisë.

Pas qëndrimit në shesh, protestuesit vijojnë marshimin në formë kolone në disa akse të Tiranës, në kuadër të asaj që organizatorët e kanë quajtur “Revolucioni i Flamingove”. Prej 12 ditësh, protesta është zhvilluar në mënyrë paqësore dhe nuk janë raportuar incidente. Një ditë më parë, tubimit iu bashkuan edhe mbështetës dhe ish-deputetë të Partisë Demokratike. Organizatorët kanë deklaruar se do të vijojnë protestat çdo ditë nga ora 18:00, deri në plotësimin e kërkesave të tyre, mes të cilave përfshihet edhe anulimi i ligjeve që, sipas tyre, lidhen me mjedisin, natyrën dhe zonat e mbrojtura. Protesta përmbyllet çdo ditë me marshim në rrugët e Tiranës, ku kolona e protestuesve shtrihet deri në rreth dy kilometra.