Tensione të reja janë regjistruar mes aktivistëve të Lëvizjes “Shqipëria Bëhet” dhe forcave të policisë. Përfaqësues të kësaj lëvizjeje, të cilët prej disa ditësh po protestojnë para Kryeministrisë, pretendojnë se policia u ka sekuestruar gjeneratorin, ndërsa raportohet se janë shoqëruar në komisariat katër aktivistë.
Në një video të publikuar nga Lëvizja “Shqipëria Bëhet”, dëgjohet një nga përfaqësueset që përballet verbalisht me punonjësit e policisë, duke vënë në pikëpyetje mënyrën e ndërhyrjes së tyre dhe respektimin e dokumentacionit zyrtar.
Nga ana tjetër, drejtuesi i lëvizjes, Adriatik Lapaj, ka reaguar duke e cilësuar situatën si një shembull të funksionimit të shtetit dhe policisë nën qeverisjen e kryeministrit Edi Rama. Ai theksoi se kërkesa e tyre është kthimi i gjeneratorit, ndërsa akuzoi autoritetet se po mbrojnë qeverinë në vend që të respektojnë të drejtën për protestë.
