Një situatë e tensionuar është regjistruar në KZAZ nr. 31 në Tiranë, e vendosur në ambientet e shkollës “1 Maji”, ku policia ka ndërhyrë për të larguar nga salla të gjithë vëzhguesit partiakë. Ky veprim u bë pas një kërkese të drejtpërdrejtë nga kryetari i KZAZ-së, i cili ka akuzuar vëzhguesit se po pengonin punën e grupeve të numërimit dhe po ushtronin presion mbi komisionerët.

Nga ana tjetër, vëzhguesit kanë hedhur akuza të forta për mënyrën si po zhvillohet numërimi i votave. Sipas tyre, një nga shkeljet kryesore është mungesa e ndarjes së qartë të fletëve të votimit konkretisht atyre ku është votuar vetëm për partinë, nga ato ku është votuar si për partinë ashtu edhe për një kandidat të caktuar.

Ata pretendojnë se fletët ku është votuar vetëm për partinë po u atribuohen padrejtësisht disa kandidatëve të veçantë, duke ndikuar drejtpërdrejt në rezultatin për renditjen preferenciale të kandidatëve në listën shumëemërore. Kjo, sipas tyre, përbën shkelje të rregullave të përcaktuara në Kodin Zgjedhor dhe dëmton barazinë mes kandidatëve.

Për shkak të kësaj situate, procesi i numërimit është pezulluar përkohësisht, në pritje të verifikimeve zyrtare për pretendimet e ngritura. Prania e forcave të policisë brenda ambientit të numërimit ka rritur edhe më tej tensionin, ndërsa palët politike po e ndjekin me shqetësim zhvillimin e ngjarjes.

Pritet që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të reagojë mbi këtë incident, ndërsa nga KZAZ ende nuk ka një komunikatë zyrtare për vendimin final që do të merret lidhur me procesin e pezulluar.