Ish-deputeti Myslim Murrizi ka sulmuar ashpër ligjvënësit e rinj të Partisë Demokratike, duke i quajtur “aguridhe deputetë” që, sipas tij, nuk kanë asnjë kapital votash dhe nuk janë testuar kurrë nga qytetarët.

Murrizi u shpreh se këta emra të rinj janë futur në Parlament vetëm falë listave të mbyllura dhe jo me votën e demokratëve.

“Aty janë 19 deputetë të partisë sime, edhe të Basirit edhe të doktorit, që as kanë futur veten në Primare për të parë sesa i duan demokratët dhe as nuk kanë shkuar në terren të shikojnë sa i duan qytetarët. Në emër të kujt sovraniteti flet? Ti s’ke vota në kurriz. Politika është aq sa vota ke, aq edhe peshë ke. Pastaj sesa servil je, ky është varianti i fundit. Këta e masin me lëpirje. Kush ka gjuhë më të fortë që quravitet te paradhoma e Berishës, që i thonë Ramës Skënderbe, Herkul, Van Dami, bëhet deputet, aguridhe deputet. Siç vijnë edhe ikin,” tha ai.

Murrizi kërkoi një qasje të re në politikë, ku kandidatët për deputetë të zgjidhen drejtpërdrejt nga qytetarët, duke kritikuar mungesën e kontaktit mes votuesve dhe përfaqësuesve të tyre.

“Qytetarët kanë që nga 2009 që nuk takojnë më deputetë në terren. Deputetët bëhen si ata me çadra, endacakë: 4 vjet mashtrojnë në një qark, e 4 vjet në një tjetër. Janë 5 palë zgjedhje që qytetarët votojnë si në komunizëm, nuk zgjedhin më,” theksoi Murrizi.