Kryeministri Edi Rama ka nisur këtë të diel takimet me drejtuesit politikë të Partisë Socialiste në qarqe, në kuadër të përgatitjeve për sezonin e ri politik. Mbledhja po mbahet në vilën qeveritare në Pogradec dhe në qendër të diskutimeve është puna e strukturave socialiste në të gjithë vendin.
Gjatë takimit, secili prej drejtuesve politikë pritet të bëjë një bilanc të situatës në qarkun që ka nën përgjegjësi, duke informuar kreun e PS-së mbi ecurinë e punës dhe problematikat e evidentuara në terren.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve lidhet me dokumentet “Besa” dhe “Prania Besnike”, të prezantuara nga Rama më 24 korrik, gjatë mbledhjes së zgjeruar të grupit parlamentar socialist dhe kabinetit qeveritar. Propozimet e përfshira në to do të shqyrtohen nga drejtuesit politikë, ndërsa synimi është që procesi të çojë në hartimin e një dokumenti përfundimtar të Partisë Socialiste.
Në tryezë pritet të jetë edhe organizimi i partisë në funksion të zgjedhjeve vendore të vitit 2027, për të cilat socialistët po nisin përgatitjet politike dhe organizative.
Axhenda e takimeve në Pogradec do të vijojë edhe të hënën, më 24 gusht. Kryeministri do të zhvillojë një mbledhje me anëtarët e kabinetit, ku ministrat pritet të prezantojnë objektivat dhe prioritetet për vitin e ri politik. Takimi do të hapet me një fjalë të Ramës.
Në përfundim të aktiviteteve është parashikuar edhe një darkë informale, ku do të jenë të pranishëm drejtuesit politikë të qarqeve, ministrat dhe kryetarët e komisioneve parlamentare.
Takimet në Pogradec i paraprijnë mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të PS-së, e cila pritet të zhvillohet gjatë javës së parë të shtatorit. Në këtë mbledhje pritet të përcaktohen drejtimet kryesore dhe axhenda politike që socialistët do të ndjekin në muajt e ardhshëm.
