Endri Shabani në krye të Nismës dhe Adriatik Lapaj në krye të Shqipëria Bëhet u futën bashkë në zgjedhjet e 11 majit. Sherri se kujt i takonte një mandat deputeti çoi në shkërmoqjen e kësaj aleance. Sot Endri Shabani është Avokat i Popullit me firmat e opozitës dhe votat e mazhorancws, ndërsa Lapaj vazhdon një protestë disa javore poshtë zyrës së Kryeministrit.

Por me të marrë detyrën e re, duket se Endri Shabani e ka hedhur pas krahëve përplasjen me Adriatik Lapajn duke i dalë në krah. Një prej urdhrave të parë të firmosur si Avokat i Popullit, lidhet me të hetuarit e asaj çfarë ndodhi në protestën e fundit të Lapajt kur policia ndërhyri e u hoqi çadrën. Avokati i Popullit ka nisur një hetim të kësaj ngjarje nga ku Adriatik Lapaj, mbeti i lënduar dhe u dërgua në spital.

Besnik Deda një prej komisionerëve të Avokatit të Popullit, u pyet nga gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu për këtë hetim, dërgoi këtë përgjigje përmes postës elektronike: “Në përmbushje të porosisë së lënë nga Avokati i Popullit, një grup i ekspertëve të institucionit ka nisur menjëherë hetim kryesisht për sjelljen e policisë, pas protestës së zhvilluar në datë 4 janar 2025 nga Partia ‘Shqipëria Bëhet’ përpara Kryeministrisë, duke inspektuar ambientet e privimit të lirisë në Komisariatin e Policisë nr.1 dhe në Bllokun e Sigurisë, si dhe për të verifikuar gjendjen shëndetësore të protestuesve që ndodheshin të shtruar në Spitalin Universitar i Traumës, Tiranë”.

Besnik Deda komisioner i Avokatit të Popullit, thotë se hetimi I deritanishëm ka përfshinë të intervistuarin e të ndaluarve nga policia në Komisariatin e Policisë nr.1 Tiranë dhe në spital.

“Nga deklarimet e të dy palëve si të protestuesve dhe të punonjësit të policisë, u konstatua se nga policia e shtetit nuk ishin marrë masat për vendosjen e Ambulancave në vendngjarje. Ambulancat kanë ardhur me vonesë të theksuar dhe pasi janë lajmëruar nga policia, duke rënduar më tej gjendjen shëndetësore të të plagosurve. Punonjësi i policisë theksoi se, kishte thyer kaviljen në dy vende gjatë rrëzimit në mes të turmës, si pasojë e rrëmujës së krijuar në vendngjarje. Ndërkohë, do të operohej si pasojë e dëmtimit të pësuar. Edhe nga ana e punonjësit të policisë, u evidentua se ambulanca kishte ardhur rreth 40 minuta ose më shumë me vonesë. Kjo pritje e gjatë e kishte bërë që të humbte ndjenjat”.

Nga konkluzionet paraprake komsioneri Besnik Deda thotë se ka Policia e Shtetit, nuk ishin marrë masat për vendosjen e Ambulancave në vendngjarje.

Nuk rezultoi të ketë patur mbipopullim në ambientet e shoqërimit. Konstatohet se, ka patur shkelje të procedurës të rregullave kombëtare dhe ndërkombëtare Lidhur me mbarëvajtjen dhe sigurimin e protestës nga Policia e Shtetit, pasi nga ana e tyre nuk ka patur mjete të komunikimit masiv (megafon) me protestuesit për vetëpërmbajtje apo për shpërndarjen e tyre, por është ndërhyrë në mënyrë të menjëhershme nga ana e policisë./ Top Channel