Një ditë pune u kthye në tragjedinë që i mori jetën Enes Isakut, vetëm 16 vjeç. Adoleshenti do të përcillet këtë të hënë për në banesën e fundit, ndërsa familjarë, miq dhe shokë janë tronditur nga humbja e tij e papritur.

Enesi punonte si kamarier gjatë fundjavave në lokalin e dasmave “AV Wedding Center”. Pikërisht në ambientet ku punonte ndodhi aksidenti fatal.

Sipas informacioneve paraprake, 16-vjeçari ndodhej në një nga katet e sipërme së bashku me kolegun e tij, Endri Stafuka, 26 vjeç. Dy të rinjtë po bënin shaka me njëri-tjetrin pranë ashensorit, pa e menduar se vetëm pak sekonda më vonë situata do të merrte një kthesë tragjike.

Gjatë këtij momenti, Stafuka dyshohet se e ka shtyrë me duar Enesin brenda ashensorit dhe më pas ka shtypur butonin për katin e parë. Ideja e lojës mes tyre ishte që njëri të zbriste, ndërsa tjetri të qëndronte në katin e sipërm.

Por sapo dera e ashensorit është mbyllur me 16-vjeçarin brenda, mekanizmi ka pësuar defekt. Sipas raportimeve, kavot janë shkëputur dhe kabina është rrëzuar deri në katin zero.

Përplasja ka rezultuar fatale për Enes Isakun, i cili humbi jetën në vendngjarje. Shkëputja e menjëhershme e ashensorit raportohet se ka vënë në rrezik edhe vetë Stafukën, i cili ndodhej pranë tij.

Pas ngjarjes, 26-vjeçari është arrestuar nga policia dhe ndaj tij është ngritur akuza për “vrasje nga pakujdesia”.

Një tjetër detaj që po shqyrtohet në kuadër të hetimeve lidhet me përdorimin e ashensorit vetëm pak çaste përpara aksidentit. Sipas informacioneve, pronari i lokalit, Afrim Vathi, ishte ngjitur me të deri në katin e sipërm pak përpara se të ndodhte shkëputja.

Vathi është njëkohësisht edhe gjyshi i 16-vjeçarit që humbi jetën, duke e bërë tragjedinë edhe më të rëndë për familjen Isaku.

Hetimet pritet të përcaktojnë shkaqet teknike të rënies së ashensorit dhe përgjegjësitë për ngjarjen që i mori jetën adoleshentit.