
Gjatë një aksioni të zhvilluar ditën e sotme, Policia e Shtetit shpalli në kërkim Dëfrim Kurtin, i cili akuzohet se ka shantazhuar ish-dashurën me publikimin e videove intime.
Sipas ”Dosja.al”, Dëfrim Kurti ishte i lidhur me një vajzë dhe pasi ishte ndarë nga ajo i kishte marrë aparatin e celularit. Këtë të fundit ai e kërcënonte se do i publikonte videot që ndodheshin në telefon nëse ajo nuk i jepte paratë. Pjesë e këtij plani ishte edhe kushëriri i tij Afrim Kurti.
Me ndërmjetësimin e policisë vajza la një takim për të dorëzuar paratë tek të dy kushërinjtë. Sapo mbërriti te pika e takimit policia vuri në pranga Afrim Kurtin ndërsa kushëriri i tij u shpall në kërkim.
Dëfrim Kurti është një emër i njohur për policinë, pasi në vitin 2019 ai u arrestua dhe më pas u la në masën e sigurisë “arrest shtëpie” për vrasjen e shoferit të furgonit Arben Gjeci.
Kjo ngjarje e rëndë ndodhi, pasi Gjeci kishte lidhje me bashkëshorten e Kurtit, Elida Cani. Por, pas hetimeve policia zbuloi se vrasjen e kishte kryer vëllai i Elidës, Esat Cani.


