Uragani Sandy ka përfshirë bregun verilindor të Shteteve të Bashkuara, duke shkaktuar përmbytje rekord, ndërprerje masive të energjisë elektrike, por edhe viktima në njerëz.


Stuhia, me erëra prej 140 kilometrash në orë, ka zbarkuar rreth orës 19:00, sipas kohës lokale. Ajo ka përmbytur stacione metrosh dhe ka lënë mbi 5.3 milionë njerëz pa energji elektrike.



Agjencia AP raporton se të paktën 17 njerëz kanë vdekur në Nju Jork, Nju Xhersi, Merilend, Pensilvani dhe Konektikat. Para se të mbërrinte në Nju Jork, “Sandy” shkaktoi rrëshqitje toke përgjatë bregdetit jugor të Nju Xhersi, raportoi Qendra Kombëtare e Uraganeve.


Stuhia ka ndërprerë edhe fushatën presidenciale të presidentit Barack Obama dhe sfiduesit të tij, Mitt Romney. Presidenti është shfaqur në televizionin kombëtar, duke u bërë thirrje njerëzve që t’iu kushtojnë vëmendje këshillave nga autoritetet e tyre lokale.



“Mesazhi më i rëndësishëm që kam për publikun është të dëgjojë autoritetet shtetërore dhe lokale. Kur ato thonë se duhet evakuuar, atëherë duhet evakuuar. Mos vononi, mos vini në pikëpyetje udhëzimet që ju jepen, sepse kjo është një stuhi serioze dhe mund të ketë pasoja fatale nëse njerëzit nuk veprojnë shpejt”, ka thënë Obama.


Në ditët në vijim pritet të bëhet edhe bilanci i dëmeve materiale të shkaktuar nga uragani, që mendohet të jenë të konsiderueshme.

30 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)