Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka shpërthyer në kritika ndaj Ukrainës dhe aleatëve evropianë, duke i akuzuar për mungesë mirënjohjeje dhe veprime të papërputhshme me qëndrimin ndaj Rusisë. Në një reagim të publikuar në platformën e tij Truth Social, Trump tha se Ukraina nuk ka treguar vlerësim për ndihmën amerikane në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës me Rusinë.

Sipas tij, “udheheqja ukrainase ka shprehur zero mirënjohje”, edhe pse SHBA-ja ka ofruar mbështetje ushtarake, ekonomike dhe diplomatike që prej nisjes së konfliktit.

Trump kritikoi edhe vendet e Bashkimit Evropian, të cilat sipas tij vazhdojnë të importojnë naftë ruse, duke e cilësuar këtë sjellje si kontradiktore me përpjekjet e Perëndimit për të izoluar ekonomikisht Moskën.

Në postimin e tij, presidenti amerikan e përshkroi luftën në Ukrainë si “një humbje për të gjithë”, duke theksuar se konflikti “nuk duhej të kishte nisur kurrë” dhe se ka sjellë pasoja tragjike për miliona njerëz.

Trump ka deklaruar se SHBA-ja do të kërkojë presion më të madh ndaj Rusisë përmes sanksioneve dhe ndalimit të importeve të energjisë, ndërsa ka lënë të hapur mundësinë për të ndërmjetësuar në procesin e negociatave mes Moskës dhe Kievit.