Dyshimet mbi përdorimin e armëve kimike shtojnë shanset për ndërhyrje të ndërkombëtarëve në konflikt
Nisur nga dyshimet për përdorim të armëve kimike në Siri, SHBA-ja nuk e përjashton opsionin e furnizimit të kryengritësve me armë. Deri më sot Uashingtoni ishte kategorikisht kundër furnizimit me armë në Siri.
SHBA-ja siç duket po tërhiqet nga qëndrimi i deritanishëm, për të mos i furnizuar me armë rebelët në Siri. Tani armatimi i kryengritësve është megjithatë një “opsion”, tha ministri i Mbrojtjes, Chuck Hagel. Sidoqoftë, deri tani nuk është marrë ndonjë vendim për furnizime me armë, tha Hagel në një konferencë shtypi me homologun britanik, Philip Hammond në Pentagon. Hagel nuk shprehu pozicionin e tij personal për këtë temë. “Unë preferoj që t’i verifikoj opsionet për të parë, se cili është opsioni më i mirë në bashkëpunimin me partnerët tanë ndërkombëtarë”, tha ministri i Mbrojtjes i SHBA-së.
Deri tani, qeveria e SHBA-së e ka refuzuar në mënyrë strikte furnizimin me armë të kundërshtarëve të Presidentit të Sirisë, Baschar al-Assad. Një gjë e tillë do ta ashpërsonte edhe më shumë luftën civile, thuhet si argumentim. Gjithashtu, armët mund të bien edhe në duart e ekstremistëve islamistë. Njoftimet e fundit mbi vënien eventualisht të armëve kimike në përdorim në Siri duket se kanë nxitur ndryshimin e mendimit në SHBA. Presidenti i SHBA-së, Barack Obama, së fundi u shpreh për disa opsione, duke mos e përjashtuar shprehimisht ndërhyrjen ushtarake në Siri. Përpara se të merren vendime të tjera duhet të ketë dëshmi të qarta për përdorimin e lëndëve kimike nga regjimi i Damaskut, tha Presidenti. Deri tani, ndonëse ka pasur dëshmi për përdorimin e armëve kimike, sipas Obamës “ne nuk e dimë, se si janë përdorur ato, kur dhe nga kush janë përdorur”.
Ndërkaq, nga Siria vazhdojnë njoftimet për luftime të ashpra mes trupave të regjimit të Assad-it dhe kryengritësve. Luftimet ndërkohë kanë përfshirë edhe rajonin veriperëndimor përreth qytetit bregdetar Banias, njofton qendra siriane e Konsulencës për të Drejtat e Njeriut. Organizata me seli në Londër akuzon trupat qeveritare dhe milicët besnikë të Assad-it, se kanë kryer një masakër në rajon. Gjatë marrjes së rajonit Baida në brigjet e Mesdheut janë vrarë 50 deri në 100 vetë, ndër to edhe gra e fëmijë.
Konflikti në Siri nisi dy vjet e gjysmë më parë dhe është konvertuar në një përplasje mes botës myslimane suni dhe asaj shia/alavi, gjë që e ka vështirësuar zgjidhjen përmes bisedimeve.
Kina dhe Rusia kanë qëndruar në krah të Asad duke mos lejuar ndërhyrje nga ana e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ndërsa populli sirian masakrohet. Deri më sot, numri i viktimave ka arritur mbi 70 mijë dhe ai i të shpërngulurve në miliona. Prej shumë muajsh, viktimat nuk numërohen më.
Lufta civile e Sirisë është kthyer edhe në një konflikt ndërkombëtar ku grupime luftëtarësh nga vende të ndryshme kanë shkuar në ndihmë të palëve përkatëse. Mes forcave rebele kanë luftuar edhe disa shqiptarë.