Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike ka reguar pas veprimt të SHBA-së e cila sekuestroi katër faqe interneti të përdorura për sulme nga një grup hakerash që kanë kryer disa sulme kibernetike drejt infrastrukturës shtetërore shqiptare.

Përmes njoftimi, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike ka vlerësuar këtë veprim, duke e cilësuar si një hap të rëndësishëm në goditjen e këtyre aktiviteteve të rrezikshme.

Ata thonë se nga viti 2022 deri në vitin 2026, janë regjistruar 9 sulme kibernetike të lidhura me këta aktorë, ndërkohë që janë parandaluar me sukses nga AKSK mijëra tentativa të tjera për sulme ndaj sistemeve në vend. AKSK shpreh mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe rolin e tyre në rritjen e kapaciteteve për të përballuar kërcënimet kibernetike që prekin vendin tonë.

Njoftimi i plotë:

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike vlerëson vendimin e Departamentit të Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për sekuestrimin e domeneve të përdorura nga aktorë shtetërorë iranianë për kryerjen e sulmeve kibernetike dhe shpërndarjen e të dhënave sensitive që lidhen me infrastrukturat kritike dhe të rëndësishme të informacionit.

Ky veprim është një hap i rëndësishëm në goditjen e këtyre aktiviteteve dhe konfirmon angazhimin e përbashkët për t’u përballur me sulmet kibernetike të sponsorizuara. Platforma “Homeland Justice” është përdorur si një nga mjetet për realizimin e këtyre sulmeve, përfshirë edhe ato ndaj sistemeve digjitale në Shqipëri, me synim destabilizimin e sistemeve dhe cënimin e sigurisë kombëtare. Nga viti 2022 deri në vitin 2026, janë regjistruar 9 sulme kibernetike të lidhura me këta aktorë, ndërkohë që janë parandaluar me sukses nga AKSK mijëra tentativa të tjera për sulme ndaj sistemeve në vend.

Republika e Shqipërisë ka mbajtur një qëndrim të qartë dhe të vendosur ndaj këtyre aktiviteteve, duke e shpallur Iranin si shtet sponsor të terrorizmit, në përgjigje të sulmeve kibernetike dhe veprimeve armiqësore të ndërmarra kundër vendit tonë.

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike shpreh mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe rolin e tyre në rritjen e kapaciteteve për të përballuar kërcënimet kibernetike që prekin vendin tonë. Partneriteti strategjik ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara mbetet thelbësor për forcimin e sigurisë dhe përballimin e këtyre kërcënimeve në mënyrë të koordinuar.

AKSK mbetet i angazhuar për të forcuar më tej kapacitetet mbrojtëse dhe për të garantuar një mjedis digjital të sigurt për institucionet dhe qytetarët e Republikës së Shqipërisë.