Masakër e re në Aurora të Kolorados, qyteza që vitin e kaluar u bë skenë e vrasjes së 12 personave në një kinema, teksa transmetohej filmi “Batman”. Sot, një person është mbyllur në një shtëpi me tre pengje. Policia ka ndërhyrë dhe e ka vrarë, por ka gjetur edhe kufomat e tre pengjeve.
Ngjarja ndodh në një kohë kur pjesa dërrmuese e popullsisë amerikane është ende e tronditur nga masakra e 14 dhjetorit në shkollën Sandy Hook, ku humbën jetën 27 persona.
Gjithashtu, të shokuar amerikanët i ka lënë edhe vrasja e pak ditëve më vonë e dy zjarrfikësve të cilët ranë në kurthin e një personi që i kishte vënë flakën shtëpisë, si dhe ajo e 4 personave në një shkëmbim zjarri në Pensilvani.
Presidenti Obama deklaroi pas masakrës së 14 dhjetorit se do të marrë masa për kufizimin e shitjes së armëve, nismë në të cilën ai po has rezistencën e fortë të biznesmenëve të armëve dhe lobit të tyre.
5 janar 2013 (gazeta-Shqip.com)