Forcat e Armatosura të Shteteve të Bashkuara dhe Forcat e Armatosura të Shqipërisë zhvilluan një aktivitet të përbashkët trajnimi në Bazën Ajrore të Farkës dhe në Komandën e Forcës Tokësore, me fokus përgatitjen për misionet e evakuimit mjekësor.
Sipas Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, gjatë aktivitetit u kryen përgatitjet dhe pajisja e kabinave të helikopterëve “UH-60 Black Hawk” për misione MedEvac, ndërsa u testuan edhe pajisjet e monitorimit të pacientëve për ofrimin e kujdesit mjekësor në bord.
Në aktivitet mori pjesë gjeneralmajorja Lisa Hou, drejtoreshë e Zyrës së Shërbimeve Mjekësore në Byronë e Gardës Kombëtare të SHBA-së, e cila ndoqi nga afër trajnimin dhe vlerësoi profesionalizmin dhe aftësitë e personelit të Forcës Ajrore Shqiptare.
“Ky bashkëpunim i vazhdueshëm forcon më tej partneritetin ndërmjet forcave amerikane dhe shqiptare, në mbështetje të operacioneve reale të kërkim-shpëtimit”, thekson Ambasada e SHBA-së.
