Lindja e Largët
Avioni me bomba atomike B-52 fluturon në kufijtë e shtetit komunist
Shtetet e Bashkuara të Amerikës ngritën në fluturim bombarduesit e vet B-52, të cilët janë në gjendje të ndërmarrin sulme atomike në përgjigje të ashpërsimit të retorikës së luftës nga ana e Koresë së Veriut.
Zyrtarët amerikanë thanë se fluturimet e B-52 demonstruan aftësinë kundërsulmuese, ndërkohë që tensioni në gadishull është në rritje. Tensioni në rajon është i lartë pasi Koreja e Veriut zhvilloi testin e tretë bërthamor të vetin muajin e kaluar. SHBA po zhvillojnë një stërvitje të përbashkët me Korenë e Jugut. Kjo nuk është hera e parë që B-52 përdoret për stërvitje.
“Ne po tërheqim vëmendjen nga fakti që ne kemi kapacitete të gjera dhe besojmë se ato janë të rëndësishme për t’u demonstruar pas retorikës së kohëve të fundit nga Koreja e Veriut”, deklaroi Pentagoni.
“Ndërsa Koreja e Veriut kërcënon Korenë e Jugut me armë bërthamore, ushtrimi që përfshin B-52 është kuptimplotë, sepse tregon angazhimin e SHBA-së për të siguruar mbrojtje bërthamore në Gadishullin e Koresë”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes së Koresë së Jugut.
Analistët thonë se misioni i B-52 duhet të shërbejë si paralajmërim për Korenë e veriut, por ndoshta edhe për Kinën. SHBA e kanë pasur të vështirë të bindin Kinën për nevojën e përmbajtjes në sjelljen e Koresë së Veriut. Kina nuk e ka ndryshuar themelin e politikës së saj në këtë çështje, por dukshëm po dëshiron të kontrollojë më mirë aleatin e vet komunist.
Uashingtoni po përpiqet të sinjalizojë te kinezët se mund të ketë pasoja strategjike për ta nëse sjellja provokative e Koresë së Veriut do të vijojë.
Mbrojtja antiraketore amerikane që po përmirësohet në zonë është në interes në rritje për Japoninë dhe Korenë e Jugut, por prek edhe qëndrueshmërinë e sistemit antiraketor të vetë Kinës. Kjo mundet të bindë Pekinin për nevojën për disiplinimin e Koresë së Veriut si një mënyrë për të pakësuar garën e armatimeve në rajon.