FBI gjen provat e lidhjes jashtëmartesore të gjeneralit dhe ky i fundit dorëzon postin


David H. Petraeus, drejtor i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës, CIA, dhe një nga gjeneralët me katër yje më të dekoruar të Amerikës, tha dorëheqjen dje, pasi një hetim i FBI-së zbuloi prova të një marrëdhënieje jashtëmartesore të tij. Ai lëshoi një deklaratë ku pranoi marrëdhënien jashtëmartesore, pasi Presidenti Obama pranoi dorëheqjen e tij. Zyrtarët e qeverisë thanë se FBI pati filluar hetimet mbi një “çështje tjetër” shumë muaj më parë që nuk qe përqendruar mbi gjeneralin. Por gjatë hetimit, ku po shqyrtohej nëse një kompjuter i përdorur nga “Petraeus” qe kompromentuar, agjentët zbuluan prova të marrëdhënies seksuale dhe u takuan me gjeneralin për të diskutuar problemin. Zyrtarë të administratës dhe kongresit njoftuan se bëhet fjalë për Paula Broadwell, një bashkautore e biografisë së gjeneralit. Libri i saj “Të gjitha këtu: Edukimi i Gjeneralit David Petraeus”, u publikua këtë vit. Broadwell nuk qe e disponueshme për komente. Broadwell ishte arsimuar në Akademinë Ushtarake të Shteteve të Bashkuara dhe pati kaluar 15 vjet në ushtrinë amerikane. Ajo pati kaluar periudha të gjata kohe nën shoqërinë e gjeneralit në Afganistan, duke e intervistuar atë për librin që po shkruante. E martuar me dy fëmijë, ajo e cilësonte Petraeus si mentorin e saj.


Anëtarë të moshuar të Kongresit u lajmëruan mbi dorëheqjen e pritshme të Petraeus rreth gjashtë orë para njoftimit. Gjenerali qe këshilluar të merrte përgjegjësinë e problemit dhe të jepte dorëheqjen.


“Pasi kam qenë i martuar për 37 vjet, unë tregova një gjykim shumë të dobët duke u angazhuar në një marrëdhënie jashtëmartesore”, tha Petraeus. “Një sjellje e tillë është e papranueshme, si për një bashkëshort, ashtu edhe për një udhëheqës të një organizate si kjo e jona”, tha ai.


Gjenerali konsiderohet si një nga më të rëndësishmit për Amerikën në kohën tonë. Ai ka udhëhequr SHBA-në në luftërat pas 11 shtatorit 2011 dhe besohet se ka qenë vendimtar në shpëtimin e kombit nga një dështim i pritshëm në Irak. Ai ka vendosur teori të reja në doktrinën ushtarake, pasi i përqendroi përpjekjet më shumë në mbrojtjen e civilëve sesa në vrasjen e armiqve.


Petraeus qe një gjeneral i parapëlqyer i presidentit George W. Bush dhe emri i tij u përfol si një kandidat i mundshëm për President. Ai pati një përballje me Obamën në vitin 2008 gjatë një vizite në Irak. Por Obama i dha gjeneralit komandën e luftës në Afganistan dhe më pas i vendosi të drejtojë CIA-n. Gjenerali 60-vjeçar u prek nga një problem historik për zyrtarët e agjencive të informacionit në të gjithë botën, atë të një marrëdhënieje jashtëmartesore, e cila, ka potencialin të përdoret për shantazh nga agjenturat e huaja. Petraeus qe gjenerali i suksesshëm i Irakut ku udhëhoqi shtimin e trupave për thyerjen e kryengritësve sektarë atje. Ai u zhvendos në Afganistan në vitin 2010, pasi Obama pushoi nga puna gjeneralin Stanley A. McChrystal për shkak të disa komenteve që pati bërë te një gazetar. Zëvendësdrejtori i CIA-s, Michael J. Morell, u emërua menjëherë drejtor i përgjithshëm deri në pritje të drejtorit të ri.