Fran Kaçorri
Koloneli nuk u lejua nga Garda e Republikës të vazhdonte detyrën e tij, por as nuk iu ngarkua ndonjë detyrë e re
Shefi i grupit të shoqërimit të ish-presidentit të Republikës, Bamir Topi, ka paditur Gardën e Republikës për largim të padrejtë nga detyra. Fran Kaçorri i është drejtuar Gjykatës së Tiranës me një padi civile, ku kërkon anulimin e vendimit për nxjerrjen e tij në rezervë. “Kërkoj anulimin e aktit administrativ, urdhri numër 240, datë 23 korrik 2012 të ministrit të Brendshëm për lirimin para kohe dhe nxjerrjen në rezervë të Fran Kaçorrit si akt absolutisht i pavlefshëm dhe i nxjerrë në kundërshtim të plotë me ligjin”, thuhet në padinë që është dorëzuar dje në gjykatë.
Mësohet se Kaçorri ka qenë për shumë vite me shërbim në Gardë, madje drejtonte grupin që shoqëronte Topin. Ai është larguar nga detyra, madje është nxjerrë në reformë, një ditë para se Presidenti aktual Bujar Nishani të merrte detyrën. Megjithëse kishte gradën Kolonel, Kaçorri ka mësuar për vendimin vetëm një ditë pas marrjes së postit nga Nishani, kur dhe i është komunikuar në mëngjesin e datës 25 korrik.
Kaçorri duhet të kalonte pas largimit nga eskorta e Presidentit në dispozicion të ish-presidentit edhe për 2-3 vjet më pas. Koloneli nuk u lejua nga Garda e Republikës të vazhdonte detyrën e tij, por as nuk iu ngarkua ndonjë detyrë e re pranë këtij institucioni. Edhe pse mbante prej më se një viti një gradë të lartë për hierarkinë e vet, Kolonel Fran Kaçorri iu nënshtrua urdhrit të lirimit përfundimtar nga Garda, me argumentin se ka mbaruar mandati i Presidentit dhe se në Gardën e Republikës ka kaluar reforma e shkurtimeve.
Në argumentimin që ka bërë në gjykatë, por edhe në një prononcim, Kaçorri ka pohuar se “largimi nga eskorta e Presidentit mund të ishte edhe e pritshme. Mendoj se, së pari, duhet të ma kishin komunikuar qysh më herët, duke qenë se largimin tim e pasoi edhe lirimi nga detyra. Dhe lirimi nga detyra nga ana e Gardës së Republikës, nuk kishte pse të priste fronëzimin e Presidentit të ri. Reforma është reformë, nëse do ta quajmë kështu. Pak rëndësi ka se e nisën nga kolonelët. Përveç kësaj duhet të më caktonin një detyrë të re. Largimi nga detyra nuk mund të justifikohet me reformat në Gardë. Unë kam vetëm një vit që kam marrë gradën e Kolonelit, gradë e lartë për nga hierarkia e statusit tonë. Ndërkohë, në detyrën që unë lashë, qëndron dikush tjetër që është disa grada më poshtë”, ka pohuar Fran Kaçorri. s.çobo
Fronëzimi
Është larguar nga detyra, madje është nxjerrë në reformë, një ditë para se Presidenti aktual, Bujar Nishani, të merrte detyrën