Tensione kanë shpërthyer brenda ambienteve të Kryesisë së Kuvendit, ku kreu i grupit parlamentar Mundësia, Agron Shehaj, po proteston pas derës ku mbahet mbledhja e Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve.
Mbledhja është duke shqyrtuar kërkesën e SPAK për autorizimin e arrestimit të zëvendëskryeministres, Belinda Balluku.
Në praninë e deputetit të Mundësia, Erald Kapri, Shehaj është përplasur me punonjësit e sigurisë, ndërsa ka kërkuar të hyjë në mbledhje. “Skandal, pse më shtyn?” ka thënë Shehaj, i cili është përfshirë në një debat të ashpër me sigurinë.
Agron Shehaj ka shprehur dyshime se PS dhe PD janë përfshirë në pazare brenda mbledhjes, duke hedhur akuza për marrëveshje politike pas dyshimeve të ngarkuara për çështjen e Ballukut.
Tensionet vazhdojnë të rriten, ndërkohë që mbledhja për të shqyrtuar kërkesën e SPAK është ende në zhvillim.
“Duan ta mbyllin mbledhjen, duan të mbrojnë Ballukun, në fakt mbrojtja është për Ramën, se Balluku ka ikur dhe s’ka asnjë shans që të shpëtojë. Për të drejtat më elementare duhet të luftojmë, duhet të përplasemi. Kërkojmë të drejtën tonë për të qenë prezent në mbledhjen e Këshillit që do të vendosë fatin e Ballukut. Iu kemi dërguar një shkresë. Pse më shtyni. Kemi bërë një kërkesë, kemi të drejtë të parashtrojmë këtë kërkesë. Duhet të nisë më dyer të hapura dhe të parashtrojmë kërkesën. Vazhdon avazi PS-PD, askush nuk duhet t’iu prishë planet e pazaret”, tha Shehaj në lidhje direkte në rrjete sociale.
