Ish-deputeti i PD-së, Tritan Shehu duke komentuar situatën e krijuar nga radhët kilometrike në dy pikat kufitare mes Shqipërisë dhe Greqisë, ngre me forcën nevojën e kryerjes së testeve masive, duke shtuar se shteti duhet t’i ndërmjetësojë ato falas për qytetarët.


“Në qoftë se gjendja momentalisht po qetësohet në kufirin me Greqinë mbas një kalvari të gjatë, kjo ndodh vetëm se pala greke shtoi kapacitetet mjekësore të testimeve aty, duke realizuar gratis disa herë më shumë teste në ditë se sa realizon shteti ynë në të gjithë vendin. Ndërsa Qeveria jonë nuk bëri asgjë, asnjë test në kufi, vetëm fjalë”, deklaron Shehu.


Ai përmend gjithashtu se të njëjtin regjim testimesh gratis po vendos edhe Italia për qytetarët tanë të arritur aty, të tjerët po kështu.


“Por ndërkaq Shqipria vazhdon në pasivitet e amulli, e izoluar si “Delja e Zezë Covid” në Europë nga gjendja e rëndë epidemiologjike prej keq menaxhimit të këtyre muajve ku mungesa e testimeve me bllokimin e laboratorëve përbën një nga arsyet kryesore, gjë që u lexua dhe në kufirin tonë, duke konfirmuar dy elementë: Fatkeqësisht dështimin e plotë të çfarë Rama&Co kokëposhtë kanë realizuar këtë periudhe ndaj Covid duke filluar me testimet”, shprehet Shehu.


Ish-ministri thekson si element të dytë: “vërtetësinë e insistimeve tona për test, test, test kudo e me mobilizim total të kapaciteteve laboratorike, gjë e cila përsëri përbën bazën e kontrollit epidemiologjik, të mundësisë për të dalë nga izolimi mbi bazën e marrëveshjeve me vendet përreth”.


“Në këto kushte Kryeministri të lërë spekulimet e “fishekzjarret”, ai duhet të pranojë dështimin e plotë në këto muaj me pasoja tragjike për vendin, të “përkthejë” drejt mesazhin e këtyre ditëve nga “kufiri”. Në fakt ajo që më shqetëson më shumë është mos besimi i thellë se ai e kjo Qeveri mund të implementojë atë që duhet, gjë që u qartësua dhe së fundmi”, mbyll Shehu reagimin e tij.