Një tjetër godinë e amortizuar në Durrës është kthyer në burim rreziku për banorët.
Në lagjen nr. 7, shembja e strukturës prej betoni të çatisë në një objekt banimi ka ngritur shqetësime serioze për sigurinë. Ngjarja ndodhi afër mesnatës, duke shmangur pasoja për qytetarët, ndërsa policia bashkiake ka vendosur shirita sigurie pranë godinës ku hyjnë e dalin banorët.
Një tjetër godinë e amortizuar në Durrës është kthyer në burim rreziku serioz për banorët e lagjes nr. 7, pas shembjes së një pjese të strukturës prej betoni të çatisë në një objekt banimi. Ngjarja ka ndodhur rreth mesnatës, duke shmangur pasoja në njerëz, ndërsa policia bashkiake ka vendosur shirita sigurie përreth godinës ku banorët vazhdojnë të hyjnë e të dalin.
Banorët shprehen të shqetësuar për gjendjen e ndërtesës dhe rrezikun e vazhdueshëm që ajo paraqet. Një prej tyre tregon se zhurma e shembjes në mes të natës ka shkaktuar panik: “Mbrëmë rreth orës 12 dëgjuam një zhurmë të fortë dhe dolëm menjëherë jashtë. U trembëm shumë. Fat që nuk ndodhi gjatë ditës, sepse këtu luajnë edhe fëmijët.”
Një tjetër banore thekson se gjendja e godinës është alarmante dhe se frika është e përditshme: “Është shumë e rrezikshme, siç e shikoni është katastrofë. Kemi frikë të hyjmë në shtëpi, pasi pjesë të tjera janë dëmtuar dhe mund të bien në çdo moment. Deri tani nuk na ka thënë askush asgjë.”
Ndërkohë, një banor tjetër ngre shqetësimin për mungesën e ndërhyrjes institucionale: “Rreziku është i madh, nuk janë copa të vogla. Nuk e kuptoj pse është lënë kështu.”
Sipas banorëve, edhe pjesë të tjera të objektit rrezikojnë të shkëputen, pasi godina paraqet dëmtime të theksuara si në strukturë ashtu edhe në brendësi. Ndërtesa dikur ka shërbyer si magazinë e Fabrikës së Cigareve dhe pas viteve ’90 është përshtatur për banim.
Që pas tërmetit të vitit 2019, banorët thonë se jetojnë me frikë të vazhdueshme, ndërsa ngjarja e fundit ka shtuar edhe më shumë pasigurinë dhe kërkesat për ndërhyrje urgjente nga autoritetet.
Një tjetër qytetare, e cila jeton me fëmijë, apelon për zgjidhje të menjëhershme: “Është shumë e rrezikshme, sidomos kur je me fëmijë. Mund të bjerë në çdo moment. Nuk dimë më kujt t’i drejtohemi, e kemi humbur besimin.”
Banorët kërkojnë që institucionet të ndërhyjnë sa më shpejt, duke theksuar se kanë paguar taksa për vite me radhë dhe se godina është lënë pa vëmendje për një kohë të gjatë, pavarësisht rrezikut të dukshëm për jetën e tyre.
Top Channel
