Ditën e sotme është shembur me eksploziv ndërtesa e fundit në Theth, duke përmbyllur kështu aksionin për lirimin e hapësirave publike.
Sipas informacioneve, forcat xheniere kishin montuar kallëpet e eksplozivit në strukturë, ndërsa shpërthimi i komanduar u realizua me sukses. Gjithashtu bëhet me dije se objekti i shkatërruar me shpërthim të komanduar, ishte një godinë 3-katëshe.
Në ditët e para të muajit korrik kryeministri Edi Rama urdhëroi nisjen e një aksion në fshatin turistik Theth në veri të vendit për prishjen e ndërtesave pa leje. Rama akuzoi prokuroren Elsa Gjeli se refuzoi të hapte një çështje penale kundër një biznesmeni të kallëzuar nga Policia e Shtetit, për ndërtimin e një fshati të tërë turistik pa asnjë leje.
Ai theksoi se lugina e Thethit do të pastrohet nga betoni dhe do të kthehet në gjendjen e mëparshme. Gjithashtu Rama ka deklaruar se i ka kërkuar Ministrisë së Drejtësisë të paraqesë një kërkesë në Këshillin e Lartë të Prokurorisë për shkarkimin e saj.