Hetimet
Aksidenti – Minatori 61-vjeçar, Gani Doçi, ka qenë duke punuar në galeri, kur një bllok minerali është shkëputur dhe e ka zënë poshtë rrënojës
Minatori – Viktima kishte 35 vjet që punonte në galeritë e kromit dhe nuk e linte punën, pasi nuk kishte të ardhura të tjera për familjen
METE – Reparti i Inspektim Shpëtimit të Minierave, RISHM, ka nisur menjëherë hetimet për dokumentimin e plotë të vdekjes së minatorit
Hysen Likdisha
Krasta e Martaneshit është tronditur gjatë ditës së djeshme nga një tjetër ngjarje e rëndë, në një nga galeritë e shumta private të shfrytëzimit të kromit në këtë zonë, ku gjatë punës humbi jetën një minator, ndërkohë që RISHM ka nisur menjëherë hetimet për zbardhjen e plotë dhe dokumentimin e vdekjes së tij.
Burime nga policia lokale konfirmojnë se ngjarja e rëndë ka ndodhur gjatë paradites së djeshme në një nga galeritë e shumta private në zonën e Theknës, ku gjatë punës ka humbur jetën minatori Gani Doçi, 61 vjeç, pasi e ka zënë nën vete një masiv gurësh minerali të shembur nga tavani i galerisë. Viktima, për çdo ditë vinte nga fshati Karicë i rrethit të Matit, duke udhëtuar për më shumë se dy orë për të punuar në galeri për mbajtjen me bukë të familjes. Ai kishte plot 35 vjet që punonte në këto galeri dhe ende nuk kishte dalë në pension, pasi familja nuk kishte asnjë të ardhur tjetër ekonomike përveçse punës së tij në galeri. Teksa po kontrollonte galerinë me levë për të nisur hapjen e vrimave në ballin e saj, një masiv gurësh kromi është shembur nga tavani i saj, duke e zënë nën vete 61-vjeçarin. I aksidentuari është nxjerrë nga minatorët e tjerë jashtë galerisë, por fatkeqësisht, ai nuk ka mundur t’u rezistojë plagëve të marra, pasi gjatë rrugës për në Spitalin e Bulqizës, ka ndërruar jetë. Dhjetëra galeri private kromi në zonën e Martaneshit, nuk mund të sigurojnë ndihmë mjekësore në kohën e duhur për shkak të largësisë së madhe të këtyre galerive nga spitali më i afërt që është Bulqiza, ku duhen rreth dy orë kohë për të mbërritur deri aty. Ndërkohë, mësohet se për këtë ngjarje të rëndë, në vendngjarje ka shkuar edhe grupi hetimor nga policia, i cili po punon për të evidentuar shkaqet e këtij aksidenti tragjik, ku humbi jetën 61-vjeçari Gani Doçi, duke lënë familjen, pa asnjë lloj të ardhure.
Nga ana tjetër, Reparti i Inspektim Shpëtimit të Minierave, RISHM, ka nisur menjëherë hetimet për zbardhjen e plotë të vdekjes së minatorit Gani Doçi. Sipas një njoftimi të Ministrisë së Ekonomisë, në çastin kur ka ndodhur ngjarja, një bllok minerali është shkëputur dhe e ka goditur 61-vjeçarin në këmbë, ndërkohë që ai ishte duke punuar në galeri. “Me të marrë vesh lajmin, në vendngjarje janë nisur me urgjencë inspektorët e RISHM-it. Inspektorët e RISHM-it do të ndërmarrin një hetim të thellë me qëllim zbardhjen e plotë të të gjitha rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë. Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës është në ndjekje të plotë të kësaj situate. Në të njëjtën kohë, METE po bashkëpunon ngushtësisht me pushtetin vendor dhe me Policinë e Shtetit”, thuhet në njoftimin e METE-s.
Policia
Kemi pyetur punëtorët dhe administratorin
Policia e Dibrës ka mbërritur në vendin e ngjarjes, ku ka marrë në pyetje të gjithë punonjësit e tjerë të galerisë, për të dokumentuar rastin e vdekjes së kolegut të tyre. Sipas të dhënave hetimore, ata kanë treguar variantet përkatëse për aksidentin, ndërkohë që është marrë në pyetje edhe administratori i minierës, me qëllim për të zbuluar nëse janë respektuar kushtet e punës në galerinë ku gjeti vdekjen 61-vjeçari.