Një zhvillim i papritur ka ndodhur në hetimet për grabitjen e dhunshme ndaj një 25-vjeçareje ukrainase, ngjarje e ndodhur të premten e kaluar në Halkidiki.

Fillimisht, dyshimet ranë mbi një shqiptar të arratisur nga burgu i Kasandrës, por analiza e gjurmëve të gishtërinjve ka treguar se ai nuk kishte lidhje me rastin. Për pasojë, autoritetet janë detyruar të nisin hetimin nga e para për të identifikuar dhe kapur autorin e vërtetë.

Ngjarja ndodhi rreth orës 17:00, kur agresori hyri me forcë në banesën ku qëndronte 25-vjeçarja, e goditi me thikë dhe i grabiti telefonin së bashku me 2.000 euro.

Më pas, autori u largua nga vendngjarja, ndërsa viktima u dërgua me urgjencë në spital për trajtim mjekësor.