Lushnja, po jo vetëm, u trondit mbrëmjen e djeshme pasi Florian Dalladaku vrau nënë e tij, Florije Dallaku me sqepar dhe plagosi rëndë të atin, Hysein Dalladaku. Tashmë familja Dalladaku ka hapur dyert e mortit dhe po përgatitet për të përcjellë të moshuarën në banesën e fundit. Ndërkohë, familjarë dhe banorë të zonës e njohin 45-vjeçarin si person me probleme të shëndetit mendor, i cili  kurohej prej vitesh.

“Kishte probleme, kurohej. Duhesh çuar aty ku duhet sepse u rëndua. Por ai shenjat i dha vite më parë, unë kam qenë në Greqi. Bëri një skandal, plagosi njërin. Por pastaj sikur u stabilizua, shkoi edhe në Itali me vëllezërit. Por si duket nga ajo që nuk kurohej rregullisht”– tha një banor i zonës.

“Familje e qetë, e mirë, punëtore. Por ky djali thonë që ka pasur probleme mendore. Këta e çuan vjet në Elbasan. Ka pasur probleme me familjen edhe më parë. Ka qenë cik problematik, por nuk e di si ka qenë puna. Por ai ka qenë me probleme mendore”-, tha një tjetër banor i zonës.