Një atentat me armë zjarri ka ndodhur mbrëmjen e së dielës në fshatin Rrilë të Lezhës, ku një breshëri plumbash ka goditur një berberhane, duke lënë të plagosur 30-vjeçarin Sokol Daci, pronar i saj. Nga hetimet e deritanishme, rezulton se Daci nuk ka qenë shënjestra e këtij sulmi, por një nga katër personat e pranishëm në berberhanë në momentin e ngjarjes. Dyshohet se shënjestra e vërtetë ka qenë 21-vjeçari Merando Nikulaj, nipi i Ardian Nikulajt, i cili gjithashtu ndodhej në berberhane.

Deri më tani, Nikulaj nuk është shoqëruar për t’u marrë në pyetje, ndërkohë që policia po kryen kontrolle në disa biznese dhe banesa në përpjekje për ta lokalizuar dhe arrestuar. Ka dyshime të forta se Nikulaj mund të jetë plagosur, pasi në pamjet e kamerave të sigurisë ai shfaqet duke u larguar nga vendi i ngjarjes me vështirësi, duke ecur me ndihmën e dikujt tjetër.

Kamerat e sigurisë kanë fiksuar dy automjete tip “Audi” dhe “Passat”, të cilat janë parë të afrohen përpara sallonit të berberhanes. Nga brenda makinave janë dalë shtatë persona, dy prej të cilëve ishin të armatosur me kallashnikovë. Ndërkohë, një efektiv policie me inicialet B.K., patrullë e përgjithshme në komisariatin Lezhë-Mirditë, ka qenë i pranishëm rastësisht dhe ka reaguar me armën e shërbimit për të parandaluar një sulm me pasoja fatale. Ai ka qëlluar drejt autorëve të atentatit dhe ka shpëtuar jetën e të pranishmëve në berberhane.

Sulmi ka qenë i fuqishëm, me mbi 30 plumba të shtënat në drejtim të sallonit, nga të cilat tre plumba kanë prekur Sokol Dacin, i cili ka marrë plagë në shpatull, bark dhe këmbë. Pas ngjarjes, Daci është transportuar në spital për trajtim të mëtejshëm dhe aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Hetimet për këtë atentat po vijojnë dhe autoritetet janë në kërkim të personave të dyshuar për realizimin e këtij sulmi.