Një dhëmb i dëmtuar mund të ndikojë jo vetëm te buzëqeshja, por edhe te shëndeti i përgjithshëm. Megjithatë, shumë qytetarë shpesh e shtyjnë vizitën te dentisti për shkak të kostove të larta në klinikat private, deri në momentin kur dhimbja bëhet e padurueshme.
Por në QSUT ofrohet shërbim dentar falas për kategori të caktuara, përmes Klinika Stomatologjike Universitare, e pajisur me teknologji moderne dhe aparatura të avancuara.
“Kam për të hequr 5 dhëmbë. Më thanë është shumë mirë dhe qenka vërtet shumë mirë”, u shpreh një pacient.
Drejtoresha e klinikës, Belisa Kaleci, shpjegoi se shërbimet falas përfitohen nga fëmijët deri në 18 vjeç dhe grupet në nevojë.
Sipas saj, klinika ofron një gamë të gjerë trajtimesh, duke nisur nga ndërhyrjet bazë dentare deri te kirurgjitë më të avancuara, grafitë dhe skaneri 3D i teknologjisë së fundit.
“Skaneri ka një tarifë, por disa herë më të ulët se në klinikat private”, u shpreh Kaleci.
Për të marrë shërbim në klinikë, qytetarëve u nevojitet vetëm karta e identitetit. Pas vizitës së parë, mjeku përcakton diagnozën dhe orienton pacientin te kabineti përkatës.
Në Klinikën Stomatologjike Universitare kryhen rreth 50 trajtime çdo ditë dhe afro 12 mijë trajtime në vit.
